Tuesday, May 27, 2014

Jam i varfër se i përkas një populli të mangët.

          Jam i varfër se i përkas një populli të mangët.

Roland Beqiraj

Teksa po lexoja romanin “Bora’ të nobelistit Orhan Pamuk, në gjuhën e një të riu kurd, i cili jep konsideratën se si e sheh popullin e tij një perëndimor, lexova;  “ kur shikon një të varfër, ndjen keqardhje për të, por kur i tillë është një popull i tërë, bota mendon se ky popull është pa tru, torollak, i metë dhe dembel. Pastaj krijohet stereotipi; ky njeri është i varfër se i përket një populli të mangët”.
Në mes të varfërisë nuk mundet të gjesh as heroin tënd, ose ata pak heronjtë që ne vetë i kemi stisur, janë ashtu si ne; një hero fatkeq.
Në mesin e varfërisë edhe miq të vërtetë  nuk mund të gjesh. Për të mbijetuar njeriu e tradhëton shokun për gjëra që në një shoqëri tjetër mund të cilësohen vogëlima.
Kur del nga ky realitet dhe njeriu i varfër gjendet mes katër rrugëve të një bote tjetër, shumë e ndryshme nga bota mizerje që ka jetuar, verbohet nga gjithçka sheh. Ajo botë i ngjan me parajsën tokësore, por që ky njeri është i dënuar të jetojë as më shumë, as më pak, por si më parë. I vjen të pëlcasë me fjalën " edukuese" të dëgjuar aq shumë në familjen e tij të mjerë, i varfër por me nder. 
Këtë realitet  të vështirë ose i duhet ta pranojë ose i duhet ta sfidojë duke e kërkuar fatin e vet tek rrugët e errëta, udhë që ia bëjnë fatin edhe më të zi. Këtë fat nuk e ka një apo dy, as dhjetra, por qindra njerëz.  Duke përshkuar këto rrugë, shoqëritë  e tjera, ato që nuk jetojnë si ne, krijuan steriotipin  me të cilin duhet të përballemi sa herë kalojmë kufirin....
Viktima të stereotipive, kemi rënë edhe ne duke u parë nga të tjerët si macja e zezë e shoqërive ku jetojmë e punojmë prej më tepër se 20 vjet. Nëse iu referohesh medieve perëndimore;- cilët janë hajdutët, kriminelët, narko- trafikantët dhe tutorët e prostitutave? Shqiptarët! Por cilët janë ata varfanjakë që na ndotin shoqërinë me këto vese? Përsëri shqiptarët ! Cili është shkaku sipas tyre ? “ Se janë të varfër dhe të mangët për të ndërtuar vendin e tyre.”
Që në të gjithë këtë çka shkruhet dhe thuhet ka doza të mëdha ekzagjerimi, askush nuk e vendos në dyshim, por nga ana tjetër që seç ka diçka që nuk shkon në këtë mes, edhe kjo është e vërtetë. Është diçka që na është bërë si ADN, që na pengon në gjithçka, e që është bërë bashkudhëtare e jona në të gjithë historinë tonë të vjetër dhe të re.      
Në fakt kjo është një dilemë që i ka munduar shumë elitat e popujve, të cilat gjithmonë fajësojnë udhëheqjen e vendit për fatkeqësinë që kaplon popujt e tyre. Kështu ka ndodhur edhe me elitën shqiptare si gjatë periudhës edhe pas rrëzimit të perandorisë osmane, por edhe në periudhat e më pasme të historisë. Filozofi e ka shpjeguar këtë fakt se çdo popull meriton udhëheqjen që ka. Atëherë çfarë mbetet për të ndryshuar këtë gjendje dhe për të mposhtur stereotipin e krijuar për ne në Perëndim ?! Asgjë tjetër veç asaj që kanë bërë popujt e tjerë për të hedhur tej varfërinë dhe prapambetjen me çdo lloj mënyrë.
Duket se rrugë të tilla elitës tonë nuk i pëlqejnë. Vetëm nëpërmjet krijimit të një mentaliteti për tu ndarë njëherë e përgjithmonë nga e kaluara jonë e keqe, vetëm atëherë mund të themi se jemi duke ecur në rrugë të mbarë. Për këtë duhet shumë punë dhe mund, pse jo edhe forcë për tu përballur me engjëjt e së keqes, të cilët jo vetëm mund të pengojnë, por edhe të akuzojnë si tradhtar, apo përbaltës të historisë krenare. Ka ardhur koha që të keqes ti vesh vetëm një emër : - E KEQE! Në të kundërt destinacioni i këtij populli dihet; do mbetet i varfër se është torollak. 
         
          ****
Varfëria e shkatërron njeriun, i bren atij shpirtin, duke e lënë trupin bosh dhe kthehet në një qenie të pashpirt. Ky shkatërrim fillon atëherë kur ai bëhet i vetëdijshëm se mjerimi i tij nuk është vetëm një çështje fati. Sheh rreth e rrotull tij, njerëz të lindur si  ai në varfëri, por me kalimin e viteve nuk kanë mbetur të tillë. Pikërisht në këtë çast fillon dhe shkatërrimi i tij, thërrmimi i shpirtit dhe kthimi i trupit në një qenie të pashpirt, i cili vetëm egziston si për ti kujtuar botës mjerimin e njeriut.
Natyrisht ky rrënim i shpirtit nuk ndodhi në një ditë. Filloi dalëngadalë, si një sëmundje që zanafillën e ka me një dhimbje të lehtë në bark, pastaj krizat shtohen duke u bërë më të hershme dhe gjendja e njeriut të shkretë bëhet e mjerueshme sa që ai pret vetëm mëshirën e Zotit,( gjithmonë nëse ekziston).  Kur ke qëndruar kështu shumë kohë, jo vetëm që nuk njeh veten, por nuk të njohin as të tjerët që kanë qenë rreth teje, por që nuk kanë pasur fatin tënd. Për gjithçka ndodhet rreth teje nuk do t’ia dish, kalon indiferent para një diçkaje që dikur e ke cilësuar të bukur, por që tani nuk të krijon më atë ndjesi, kurse njerëzit, njerëzit që nuk janë si ty, i urren për gjiçtka ata kanë, kurse të ngjashmit i merr inat, pasi të duket se je prekur nga sindromi i tyre.

Çfarë duhet të bëjë një njeri i tillë në shoqërinë tonë globale? Kujt i duhet ai, askujt, madje as bashkëshortes, e cila orë e çast e mallkon fatin e saj që e lidhi jetën pas një burri që nuk bën një pare. Nuk besoj se ka ndonjë gjë më të trishtueshme se kjo për një njeri të lindur në këtë shekull.

0 comments:

Post a Comment