Saturday, May 10, 2014

Kasëm Saliasi: dy fjale per vellimin " Trille dhe Imazhe" te Roland Beqiraj

Kasëm Saliasi

Dy fjalë për poezinë...

Parathënie e vellimit poetik te Roland Beqirajt“ Trille dhe Imazhe”

Jetojmë  në një kohë të zhurmshme trillesh, jetojmë në një kohë haluçinacionesh dhe imazhesh, po shkojmë diku dhe nuk e  dimë se ku. Në këtë kohë prozaike gri, më të guximshmit dhe të dashuruarit me jetën shkruajnë poezi.  Poezia kjo mbretëreshe e shpirtit fisnik duket se nga dita në ditë po bëhet pronë e një grupi gjithnjë e më të vogël njerëzish, po bëhet pasuri e një elite të ndjeshme në shpirt. 
 Thuhet që efektet e poezisë në ndërgjegjen njerëzore janë të paparashikueshme;
Sipas një eksperimenti të kryer kohët e fundit janë marrë dy grupe njerëzish; të parët lexojnë sistematikisht poezi , ndërsa të dytët lexojnë shtypin e ditës. Tek të parët u pa që ata shfaqnin shenjat e një edukimi estetik, i cili manifestohej në sjellje me të tjerët. Këta persona që lexonin poezi e kishin më të zhvilluar fantazinë, ishin më të dashur me njerëzit dhe shumë më herë optimistë dhe rezultativë në punë. Tek grupi i dytë jeta ndiqte rutinën e përditshme. Njerëzit shpesh ishin të stresuar nga kronikat e zeza dhe kishin shenja të theksuar pesimizmi. Pra, dallimi është i qartë. Poezia është pronë e njerëzve që dinë ta shijojnë atë.   

Këtë gjë e përforcojmë kur lexojmë librin me poezi “Imazhe dhe Trille” të gazetarit dhe publicistit të njohur Roland Beqiraj. Poezia  e autorit është tepër e sinqertë,  megjithëse titulli është intrigues. Autori ka elementë autobiografikë  të trajtuar me shumë kujdes dhe finesë.  Ai dashuron me të gjitha mënyrat, format reale dhe sureale. Dashuron natyrën,  femrat, virtytet.  Por ndonjëherë është dhe i lodhur kur jeton në një qytet të ftohtë dhe nuk ka kohë as për dashuri.  Në mendje të mbeten vargjet e thurura për miqtë. Ata janë përshkruar me një lloj sentimentalizmi dhe respekt të madh. Miqtë e tij dhe nga  emrat që lexojmë kanë qenë të mençur dhe që kanë lënë gjurmë.  ”Autoportret” është një poezi e realizuar bukur, ku është përdorur perspektiva letrare,  një figurë kjo që na bën ta imagjinojmë autorin 50 vjecar. Kur lexon  këtë libër  të duket se Landi ka shkruar duke mbajtur një ballancë midis jetës dhe vdekjes. Sa shumë ështe i dashuruar me jetën aq lehtë e pranon dhe vdekjen si një proces  fiziologjik, i cili do të ndodhë patjetër. Por kulmin  në poezitë e tij e arrin me “Vizitorja joshëse”. Një   dialog të cilin shumë njerëz mund ta kenë bërë me vdekjen. Por këtë autori e ka ngritur në art.  Ai është në papajtueshmëri me vetëvrasjet ose vetëvdekjet sic thotë ai, pasi jeta është e bukur dhe ka shpresa .  Autori është i ndjeshëm ndaj të bukurës ashtu siç është dhe sensibël ndaj perversitetit të shpirtit njerëzor. Stili i të shkruarit ashtu si dhe në publicistikë është i vecantë. I mbushur me figura letrare dhe me një gjuhë të bukur.

0 comments:

Post a Comment