Wednesday, July 16, 2014

NJERIU - ARROGANT ME I MADH I MJEDISIT

ROLAND Beqiraj

Njeriu mbetet krijesa më arrogante e planetit. Ai ka marrë rolin e Krijuesit për gjithçka në tokë. Është njeriu që vendos se kush do të ekzistojë dhe kush jo, cili do të jetojë dhe cili do të vdesë. Fillimisht kjo ndodhi me mjedisin. Nuk janë të pakta specie që u zhdukën nga dora e njeriut, disa thjesht se kështu donte ai, të tjerat duke i shfrytëzuar për të mira materiale. Mjafton të përmenden mija hektarë pyjesh të prera, speciesh të rralla në det dhe në tokë nga flora dhe fauna, të cilat Natyra apo Zoti, i krijoi që në fillesë. Ekzistenca e tyre pranohet vetëm nëpër arkivat e shkencëtarëve dhe studiuesve.
Gabohen rëndë ata që mendojnë se njeriu shembullin për vendosjen e ligjit sipas dëshirës së vetë ekstreme e ka marrë nga xhungla, madje e dëgjon shpesh herë thënien : “këtu e bën ligjin xhungla”. Ky është një spekulim i pastër, që duke e krahasuar me natyrën, njeriu i fuqishëm justifikon pushtetin e tij të pakufizuar. Në xhungël ndodh mrekullia e mëmës natyrë, ku ekuilibrat e natyrës pa ndërhyrjen e njeriut ruhen për mrekulli nga shtazët që jetonin aty. A i ruan ekuilibrat njeriu qoftë me natyrën, qoftë me krijesën si veten? Historia dhe aktualiteti tregojnë se jo. Masakrat, konolizimet, diktaturat, krimet mos vallë ndodhin për arsyen se “bota“ ka nevojë për vendosjen e ekuilibrave, të këtyre lloj “ekuilibrash” që pretendojnë se vendosin diktatorët, konolizatorët, kriminelët apo gjeneralët që zbatojnë në praktikë platforma shfarosëse?! Nëse është kështu, atëherë njeriu është krijuar nga një KRIJUES manjak.

***
Fatkeqësisht i takon brezit tonë për të hyrë në histori qoftë për mirë, qoftë për keq, pasi jemi ne që na takon të rivendosim baraspeshën e duhur në brishtësinë e natyrës. Shumë gjëra nuk po funksionojnë siç ishin krijuar. Me përsosjen industriale dhe zhvillimet kibernetike të shekullit të XX dhe akoma më tepër në shekullin XXI, natyra është tjetërsuar. Për herë të parë është vendosur një desekuilibër në raportin njeri/natyrë. Ndryshimet klimaterike, vrima e ozonit, shpyllëzimet masive, shkatërrimi i masiveve ujore, ka sjellë edhe rrënimin e peizazhit.
Përpjekjet për të ruajtur mjedisin, këtë pasuri monumentale të natyrës, gjithmonë kanë dështuar duke u kundërshtuar në emër të zhvillimit ekonomiko-industrial. Kështu raporti i njeriut me natyrën u bë thellësisht armiqësor.
Dhe iniciatorët e mjedisit duken disa “luftëtarë” të vetmuar, që kanë pak shanse për të fituar luftën, pasi në anën tjetër të llogores janë bosët e koorparatave të mëdha të cilat janë ato që udhëheqin botën. Askush nuk e dëgjon zërin e atyre që thonë se nuk duhet ndërtuar aksh fabrikë, apo gurore në aksh vend sepse dëmtohet mjedisi. Përkundrazi quhen demode dhe tradicionalistë që pengojnë zhvillimin, madje ka nga ata që në drejtim të ambjentalistëve drejtojnë akuza fyese duke vendosur shenja barazimi me shoqatat e mbrojtjes së homoseksualëve. Që tek e fundit çfarë kanë bërë ambjentalistët? Me fonde të papërfillshme kanë stampuar disa postera sensibilizues si dhe në protesta modeste ngrenë zërin se nuk mund të shkatërrohet një park për të ndërtuar komplekse pallatesh banimi, apo të shkatërrosh një gji deti për të ndërtuar një “fshat turistik”. Dhe për përfitime të ulëta, në kurriz të mjedisit, ndërtohen parqe industrialë, komplekse pallatesh, gurore, ku shumë qytete apo zona bregdetare janë kthyer në të pabanueshme, madje një tmerr i vërtetë për banorët autoktonë.

Parë nga ky këndvështrim raportet e njeriut me mjedisin bëhen edhe më të zymta, aq sa pesimistët me të drejtë thonë se shyqyr që njeriu nuk ka krahë për të fluturuar se do të kishte shkatërruar edhe qiellin. 

0 comments:

Post a Comment