Wednesday, May 7, 2014

Album poetik nga vellimi " Ndijime"



Sprova e Ferrit

Atë  natë gri,ku njerëzit shuken
në shtretërit e pistë, nuk do ketë
zgjidhje tjetër veç ikjes.
Burra dhe gra,
Deri dje të dashuruar,
Lot do derdhin më shumë
se ç’qajnë fëmijët e tyre.
Do të qajnë të   penduar,
Atëherë kur pendesa  nuk u duhet,
Do të luten edhe për pasardhësit ,
Që janë duke u përcëlluar në zjarr.

Asnjeri deri atëherë nuk e kishte
parë ferrin, përveç të vdekurve.

Tani janë ata që ua bënë
këtë dhuratë të gjallëve.
Nga kjo sprovë e kotë
Ferri mbeti në tokë.

Qeni

Disa metra larg meje
gjithë kërshëri më ndjek
një qen i zi. I madh,
me sy të lëngët, gjithë trishtim.
shpreson nga unë ti falja
pak lumturi, nga lumturia ime.

Më ndjek gjithë shpresë,
beson në këmbënguljen e tij
se fati do i trokasë një ditë.

Pret. Ec e jake bën
në të njëjtën rrugë.
Vetmitari nuk i bashkohet
sojit të tij, nga frika se
i rrëmbejnë idenë,
bashkë me të dhe fatin.

Teksa më afrohet një çap larg,
unë nxitoja hapat
për të ruajtur distancën,
pasi nuk kisha çfarë ti falja.

Këtë bënim çdo ditë
duke e kthyer në ritual
në diell, shi, suferinë,
derisa u mërzitëm .

Ai më hodhi të njëjtin shikim
por pa bërë asnjë çap.
Unë ia ktheva miqësinë
pa krijuar distancë.

Për shumë kohë i falëm
njëri- tjetrit miqësi,
por duke ruajtur largësi,
që gjithsecili
të kishte fatin e tij.

U kuptuam shumë mirë.
Fati nuk ishte  një send
që falej. Ndonëse ke
të njëjtën rrugë,
nuk ke të njëjtin fat.

Megjithatë ekuilibër perfekt
nuk ka. Njeriu mund të
ketë fatin e qenit, po kështu
dhe qeni i zi
mund të ketë fatin tim.

Peizazh në janar

                         P.Visarit

Nuk është e njëjta panoramë,
asgjë nuk është si dikur. Shumë
kanë ndërruar jetë e shumë të tjerë
lëngojnë mes një jete të sëmurë .

Vdiq dhe miku im,nuk e mundi dot natyrën.
Ai tha : Edhe pse ajo si ne vuan,
natyra nuk duhet mundur kurrë, ajo është
Zoti ynë, prandaj më mirë po iki unë.

* * *
Natyrën nuk e mundi dot as Marksi,
por ama ne të gjithë e shkatërruam,
madje edhe veten. Vonuam perëndimet
e diellit për të krijuar këtë panoramë
të dëshpëruar. Qanë vetëm statujat. 

Ai më pa drejt e në sy

Ai më pa drejt e në sy dhe më tha:
Hiqma këtë dreq brenge nga gjoksi!
Pastaj pështyu gjak dhe vdiq.

Atëherë isha njëzet vjeç. E ku e dija unë
që brenga e tij paskësh qenë një barrë,
kam një jetë që e mbart si të isha centaur.

Në ditën e vdekjes së babait

Qielli mu duk i vogël atë natë
Dhe yjet më të largët nga ç’pandehja,
Hëna  e vobektë
nuk ndriçonte fytyrën e atij
që gjithmonë do të flerë.

Nuk pati re atë natë, as ftohtë nuk ish’
Asnjëri që ish me mua nuk e donte ditën
të vinte , pasi dielli ,atë që unë doja,
nuk do e ngrohte. Megjithatë dita erdhi,

dhe dielli lindi. Fjalët dhe mendimet
nga unë u arratisën. Mbetën vetëm vajtimet.

Krenaria

Dhe vetmia është krenari

Yjet nuk na duan aq sa i dëshirojmë ne,
Këtë të vërtetë nuk duam ta pranojmë,
Por dhimbje ndiejmë nga zhgënjimi
që nuk marrim asnjëherë atë që japim.

Asnjëherë nuk e pranojmë se nuk e meritojmë,
As veten nuk e ngushëllojmë për tu përsosur,
Por rrime vetëm me krenarinë tonë, në vetmi.

Dita e fundit e paqes

Në këtë vjeshtë,
Blirët e rrugës 
Që të çon në shtëpinë time,
Dridhet nga era e fortë.

Është një ditë e ftohtë.

Kryeneçësi.
Egoizëm.

Askush nuk vajton të shkuarën
Ndërsa të ardhmen nuk e di.
I mjafton një ditë si kjo;
E ftohtë, me blirë që dridhen
nga era. Me xhama
e thyer të ndërtesave .

Në këtë vjeshtë,
Ditën e fundit të paqes
I jetojnë çastet
Të dashuruarit,
Pijanecët ,
Dhe gjithë të tjerët
Që kanë hedhur armët.

Era e fortë pengon ecejaket
E të dëshpëruarve
Që jeta u peshon sa varri.

Dhe vjeshta më tepër venitej
Në ditën e fundit të paqes.
                
                        20 nëntor 2010

Përsëri vajtim

Pasi humbi nga shtëpia edhe guri i fundit,
dhe varrosëm fëmijërinë,
na mbetën vetëm kujtimet – jetëgjata,
që jetojnë deri në vdekjen tonë.

Hidhërimin na e largoi dashuria,
duke na dhuruar  mjaltë dhe helm
nga ashti i saj. Shtohet  barra e brengave.
Kujtimet mbytem mes lotësh.

Qava aq shumë për dashurinë,
një natë,sa nuk kisha qarë
në fëmijërinë time fatlume.

O miku im,
ku nuk kam kërkuar
një varrmihës,për të hapur
një varr në zemër,
për të varrosur  brengat,
 por nuk kam gjetur.

Vuajtja qenka bishë e tërbuar,
Kërkon të vdes njëlloj me mua.

Vështrimi i fundit

Ftohtësi në tavanin e zverdhur,
Gjysmë hije që rrotullohen gjithandej,
Duke iu fshehur vështrimeve të plakura
Dhe fytyrave që rëndom të rrinë mbi kokë.

Të gjithë të shohin e diç presin –

Dhe ti asnjërin prej tyre nuk sheh.

0 comments:

Post a Comment